Është një Perëndi 1 që është pafundësisht i përsosur, 2 i cili ekziston përjetësisht në tri persona: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. 3
Jezu Krishti është Perëndia i vërtetë dhe njeriu i vërtetë. 4 Ai u ngjiz nga Fryma e Shenjtë dhe lindi nga virgjëresha Mari. 5 Jezusi vdiq në kryq, I Drejti për të padrejtët, 6 si sakrifica zëvendësuese; 7 dhe të gjithë ata që besojnë në Të janë drejtësuar për shkak të gjakut që Ai derdhi. 8 Jezusi u ngrit prej së vdekurish sipas Shkrimit.9 Ai është tani në të djathtën e Madhërisë së Lartë si Kryeprifti ynë. 10 Jezusi do të kthehet sërish për të vendosur mbretërinë, drejtësinë dhe paqen e Tij. 11
Fryma e Shenjtë është një person hyjnor, 12 dërguar për të banuar, për të drejtuar, për të mësuar dhe për të fuqizuar besimtarët, 13 gjithashtu për të bindur botën për mëkat, për drejtësi dhe gjykim. 14
Dhiata e Vjetër dhe e Re, siç u dhanë të pagabueshme, ishin të frymëzuara verbalisht nga Perëndia dhe janë zbulesa e plotë e vullnetit të Tij për shpëtimin e njerëzve. Ato përmbajnë rregullën e vetme hyjnore të besimit dhe të jetës së krishterë. 15
Njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndinë dhe në ngjashmëri me Të: 16 ai ra përmes mosbindjes, duke iu nënshtruar kështu vdekjes fizike dhe asaj shpirtërore. Të gjithë ata që lindin me një natyrë mëkatare, 17 janë të ndarë nga jeta me Perëndinë dhe mund të shpëtohen vetëm përmes veprës shlyese të Zotit Jezu Krisht. 18 Pjesa e atyre që nuk besojnë e nuk pendohen, jeton përjetësisht në mundim të vetëdijshëm; 19 ndërsa pjesa e atyre që besojnë, jeton në gëzim dhe lumturi të përjetshme. 20
Shpëtimi është siguruar përmes Jezu Krishtit për të gjithë njerëzit; dhe ata që pendohen e besojnë në Të, rilindin nga Fryma e Shenjtë, marrin dhuratën e jetës së përjetshme dhe bëhen fëmijë të Perëndisë. 21
Vullneti i Perëndisë është që çdo besimtar të mbushet me Frymën e Shenjtë dhe të shenjtërohet tërësisht, 22 duke u ndarë nga mëkati dhe nga bota, e duke u përkushtuar plotësisht ndaj vullnetit të Perëndisë, duke marrë kështu fuqinë e jetesës së shenjtë dhe shërbimit efektiv. 23 Ky përjetim pas kthimit në besim është edhe krizë, por edhe përparim në jetën e besimtarit. 24
Vepra shpenguese e Zotit Jezu Krisht ka siguruar shërimin e trupit të vdekshëm. 25 Lutja për të sëmurët dhe vajosja me vaj mësohen në Shkrim dhe janë privilegje të kishës në kohën ku jetojmë. 26
Kisha përbëhet nga të gjithë ata që besojnë në Zotin Jezu Krisht, të cilët janë të shpenguar përmes gjakut të Tij dhe kanë rilindur nga Fryma e Shenjtë. Krishti është Kreu i Trupit, i Kishës, 27 e cila është urdhëruar prej Tij të shkojë në të gjithë botën si dëshmitare për të predikuar Ungjillin në të gjitha kombet. 28 Kisha vendase është trupi i besimtarëve që janë bashkuar për adhurimin e Perëndisë, për ndërtim përmes Fjalës së Perëndisë, për lutje, bashkësi, shpalljen e Ungjillit dhe për pjesëmarrjen në sakramentet e pagëzimit dhe Darkës së Zotit. 29
Do të ketë ringjallje fizike të të drejtëve dhe të të padrejtëve; 30 për të drejtët një ringjallje në jetë; për të padrejtët, ringjallje në gjykim. 31
Ardhja e dytë e Zotit Jezu Krisht është shumë e afërt32 dhe do të jetë personale, e dukshme dhe para mijëvjeçarit. 33 Kjo është shpresa e lume e besimtarit dhe e vërteta jetësore, e cila na nxit për jetesë të shenjtë dhe shërbim besnik. 34
1 Ligji i Përtërirë 6:4, 2 Mateu 5:48, 3 Mateu 28:19, 4 Filipianëve 2:6–11, 5 Luka 1:34-38, 6 1 e Pjetrit 3:18, 7 Hebrenjve 2:9, 8 Romakëve 5:9, 9 Veprat 2:23-24, 10 Hebrenjve 8:1, 11 Mateu 26:64, 12 Gjoni 14:15-18, 13 Gjoni 16:13; Veprat 1:8, 14 Gjoni 16:7-11, 15 2 e Pjetrit 1:20-21; 2 e Timoteut 3:15-16, 16 Zanafilla 1:27, 17 Romakëve 3:23, 18 1 e Korintasve 15:20-23, 19 Zbulesa 21:8, 20 Zbulesa 21:1-4, 21 Titit 3:4-7, 22 1 e Thesalonikasve 5:23, 23 Veprat 1:8, 24 Romakëve 6:1-14, 25 Mateu 8:16-17, 26 Jakobi 5:13-16, 27 Efesianëve 1:22-23, 28 Mateu 28:19-20, 29 Veprat 2:41-47, 30 1 e Korintasve 15:20-23, 31 Gjoni 5:28-29, 32 Hebrenjve 10:37, 33 Luka 21:27, 34 Titit 2:11-14